Monday, November 19, 2012


Kjo asht perpjekja jeme fillimore ne lamin e poezise, ne metimin e thelle te shpirtit dhe qemtimin e imet te çdo grimce qe duke ken pjese e jetes sone, edhe ajo munet me kene, jo thjeshte vetja jone, por bota jone.
Albert Vataj
(1996)



Ngrehin Spazmash

(1996)

Epilog migjenian

Krizantema e gishtave tee kohës
Luan në tastierën e brinjëve
Kohën e pare të simfonisë see dhimbjeve
Në tre kohë lozin perënditë
Ata shkulin brinjët
Mi ngulin në britmë

Ti dhe pozia
Kur duhmën nëpër heshtje
Katikule egrash të frymës
Qiriu i ndezur në brinjë
Numëron mekjet
Me regëtimen e kataraktit të vajeve

Ditën që gogësima e ngopjes
Ma kris kafkën
Një Penelopë e nervit tim
Endte thinjën e amshimit të Itakës

Urata liliputësh
Lëshohen në orbitën e zërit tim
Në gjeometrinë e metaforave të ecjes
Spazmi i dhimbjes
Nenshkrun paktin e apogjesë sime

Ti dhe poezia
Gjinj ku pi amshimin


Llahtari të heshtësh qiell
Kalëroj mbi shtazën e egërsuar të frymës
Kur gjurmimi s’bzan
E qelqi i lëkurës provokon thyerjen
Pikëlojnë neonet
Melodinë e ndrojtur të pigmenteve meit
E robtim i strehës së hijes
Nga jargavitja boheme
Mbledh vertebrat e gjenë buzë të pihet

Brazta të pllakomës prej kuarci
Thelluan afshin e një dehje arseniku
Kur poleni i fosilizuar i thinjës tejkqyrëse
Rrugëtoi n’gjëmime kataraktesh

Duar plumbi në trajta gjinjsh
Tatuazh tankesh
Vizatojnë thinja të mekuna
Ekstazë të heshtjes qiellore puplojnë llahtarinë

Qesh statuja e vajeve në moçalin e dhimbjes

Psalmi
Dita mbart një zgjim të hatashëm
Me zhaurimë dhimbjesh ndër udhëkryqe eshtrash.
Pllanga gjaku lveshkin gjymtyrët
Lyrosin me baltovina epike arsyen e zgjimit.
Fasha avujsh drite
Mbrujnë inde, jude fryme e kafshime agu
Në ikje vibrojnë rrugëkalimin

Tentakulat e tërbimit qiellor
Ku pasionet e mia bojëgjaku shakadahen
Tellazojnë shëlbimin pranues të horizontit
Ndrydhet bistaku i qiellit
Kur nej shitues kurmeve përleshen
Ravijëzohen linja çapraze egërsirash
Karusel të irrituar dihamësh
Nëpër tehe thonjsh zbresin thonj gjaku dhe helmi
Drunjëzuar për kryqe gjer në gji të dheut
Me një etje biblike në gënë
Pijmë etalonin e mundimeve të Jeruzalemit
Hipim e zbresim përditë nga kryqi
Për tu ndjerë pak qiellor
Guri e dheu.

Minuti i dheut
Mynxyra tendoset në skajet e një shkretëtire
Aerobi e çdo kokrrize rëre
Shëmbëllen taftin shurdhues të greminës
Nëpër harlisje degëzash akulli
Ku nderen përlotje sysh
Të pirë ortekësh
Kurrizi i shtegut me silueta statujash
Zvarget në gjurmëkalimin e cijatjes
Baltovina të hekurta ikanakësh llokoçisin
Kapilarëve rebel rrugëtues për në tempull
Dielli argjilor i lotit
Tkurr harlisjen e nervave prej pigmenti
Ku shpërthim hyjnor i dritës
Sharton dhimbjen në thinjë
Për t’u ndjerë pak engjëll.
Edhe kur krifën e epshit e kreh
Në tehe krimesh
Minuti i një grushti dheu ndrydh hemoragjitë
E turit marshin e ortekut katakomb

Një jetë minuti i dheut

Prarim
Pikojnë akujt në trajta prekjesh
Kur stinë prarimesh kullotin qiellin
Blegërima funebre gurësh vozisin
Me rrema gjymtakë syve të një kafke
Brymëra inkuizitorë ngjyjnë harbimin e penelatës së gjakut
Akuarel i përmortshëm i elegjive të vajeve
Prekjet e frikshme të putrave prej ajri
Shtyhen turravrap atje ku tafti eracak i humnerës
Përçan fosforeshencën nanuritëse të lutjes
Nën mishra të lëngët
Piskama shpuese mais stalagmitet në myshqet kafe të hijes
Pijnë sarahoshët shira pikëllimin mavi të plagës
Dhe bluajnë kafshatën e natës
Ndër gishtërinj shelgjesh lotues
Muralja ekspresioniste e një bisku rrufeje
Ka sajuar planetin makabër
Ku të gjitha speciet
Para se të hahen, puthen

Hepohet indi i frymës
Puprrojnë prekje të qullëta formash korsike
E brymëra sysh thumbojnë eterin
Hepohen indet e frymës
Nëpër parametra kanionësh
Në unorë përndritës mprehin tehet
E deformojnë thellësinë e kuitjes
Mërmërima flakëruese e jeles së diellit
Sharton gjymtyrët e gjakut me bimën e rebelimit
Përpëlitet zog i erës valëzuese
Në rremishten egrash të imazheve
Lidhur me skajet e një britme
Gjethnaje avujsh te ngrirë
Hingëllijnë në harbimin e reve
Që rigojnë mozaik psalmesh
Ndjeva dihamën e polenit të dritës
Që afsheve të dheut
Shuguron naltësinë
Njëlmësia e hingëllimës së dallgës
Çurkon nga mameleonet e gjirit
Rrezatim ekzstaz zagushie
Buzë të rreshkura, shpërthim akujsh
Reainkarnojnë rrugëtimin për tek spazmi

Puth që ta ndjesh deri në asht dhembjen

Emotive
Trajta ndjenjash, shëmbëlltyrë rubinësh
Dejve gulçojnë
Mbërthyer në darën e agonisë
Tejshpon enjtjen e pasioneve pagane
Shumimi i pjergullave prej zhive e napalmi
Që në eshkën e ashtit tonë të thekun
Gostitin shkëndinë e blicit të vetëtimës
Djegia nëpër kocka lërin si makth
E kuitja e bushtresh uloke ndez zjarre inkuizicionesh
Me karthitë hollake të ëndërrimeve
Metamorfoza eracake e pikëllimit
Ka kurorëzuar të gjitha trajtat
Përveç plandosje në prehrin e gjunjëzimit
Kurba e ylberit
Thonjt e klithmës së një pulëbardhe, ngjyn
Në brazdën e ekstazes

Gur të jesh në tokën e sendeve prej llave
Djeg dhe s’lë mbetje hiri
Por varre
Atëherë
Rrathët e ferrit pijnë pigmente zjarresh

Shkretani
U rritëm duke u groposur në ankthe eshtrash
Pëllumba e qumësht prej lëkure e ashti
Bisturitë e shiut ravijëzojnë faltoret
Ku besimtarë me thonj të përgjakur
Hepohen si apostuj kur rrëfehen
Dhe dinë ta dallojnë zbehjen përndritëse
Regëtima vegimesh më injektuan
Spazme tëmthash
Ku pema rritet në vetminë e pyllit
Myshqet erektohen nga lagështia
E i hukasin përthonjtjes
Bisturi flakësh u pizasin degëzimeve të vajeve
Vendos ta braktis shkretanin e kësaj amazone
E bimë mjerane me gjethnajë kërleshur varreve
Mpiksur në vegjetimin e përjetshëm
Të plagës sime

Kur kalben kryqet
Kreshpërohen tymnajave
Ballukeve të çatrafilisuna të horizontit
E gufim i zgavrave faranike të diellit
Fosilizon galope
Shalime rrokaqiejsh
Tejshpon lagështia epshet ekstaz të zjarrit
E verbim i diellit plandoset
Nëpër kryqkalime të formave që shkepojnë
Në të vonën e agonisë së mallkimiadave
Në darkimin e serenatës së yjeve
Dremit apostulli i hanës
Eksitim e mantelit të dhimbjes
Nër kur e ndjek
Tamburja e kollës së resë
Çizme e baltosun që shklet
Kalldrembetone marshesh
Provoni të gjunjëzoheni në molisje
Dhe shihni sa thellë përtypet dheu
Vjedhin gogsimën
U kalbën kryqet nga fryma e lëmyshkun e faljes
Falni për ta pranuar qiellin
Dhe gravitetin e urisë së amshuar prej dheu

Gjej kohë të përulesh
Brishtësi e thekur
Shprishun prej afshit
Llamburit në syprinën valëzuese të qiellit
Qiellit prej lulesh dhe gjaku
Etjet tona prej muzgu
Mërçapin vibrime të akullta
E bashtina e përgjunjes bubërron dromca yjesh
Inkandeshenca e luspave të lotit
Rrëshqet në plorin e linjave prej qumështi
Medaljoni i hanës vringëllin marramendje
Rrokullisur tatpjetës qiellore

Frymëmarrje e errët e greminës
Gulçon shtegkalimeve
Që përplasen në turitjen e limfës

Një grumbull i rëndë eshtrash
Më shpien gjithnjë në kurthin
E shkelqimit verbues të çmendinës

Zgjat gishtin tregues drejt torsit
Që mpleksun ka gurtin e muranës
E si llavë na përvëlon bindjen

Gjej kohë të përulesh
Në shejtninë e ishullit tënd
Ishullit tënd ndërtuar prej idesh dhe cungjesh

Ngrehina e vetvetes
Dirigjojnë rënkimet e mekuna
Në këtë ngrehinë
Prej dumani dremitës e dritimi shkrirës
Amshimi përkund ritmikën monotone të brejtjes
E rrejshëm ladron gërmadhave mortore
Me fale përçuar në çdo thirrje gulçuese

Mjekrrën e thinjun njom në përrenj të vakët
Nër vërshime tehon rrëzimin farues të ortekëve
Prej urrejtjeje dhe llave
Kaproj me brirë rënkues
Përleshen zajeve të ikjes
Kaike që fluturojnë drejt bastioneve yjore
Plot me bujtës të mbramë
Mizorisht të lodhur nga njëerëzorja

Puthim, qeshim, qajmë gjunjëzoreve
E totali i kësaj ngërdheshjeje poshtëruese
Grushta kataklizmoje
Më rrënues se gjitha apokalipsit e botës

Vërshim i kangës së nënujshme
Ku varre të etshëm pyllëzojnë zagushinë gjaksore
Rrënjëzuar asht në kërbuljen e rreshpes

E ndjej brengën gjëmuese të bregut
E operimin e zmaltë të përdhosjes
Në çdo kokrriz rëre e ndjej
Aty ku botët e mia ideale
Kërkojnë shënjtërim, apostuj e zota

Sëmbojmë metabolizmin e dheut
Cifla pogjesh prej shiu sëmbojnë
Metabolizmin e varreve tona
Pa gjymtyrë guri a dheu
Kur batica fryhet dhe shpërthen
Në sythin e gjakut

Fruta majahosh rrit ajri i brymt
Rrënjëzohet uria jonë prej demiurgu
Në gogsimën që davarit
Kafshime harbuese degëzimesh
Në qiellin steril

Bashkë me shkallëzimin e stuhisë
Gjethnajat kalben
Zogj të trishto avujsh lindin
E me krahë britmash pushtojnë fluturimin
Shkundin tymnaja dhe turitin
Plagë e thinja t’shartueme me shpërthimin

Drita që bombardon kundrimin tem
Prej dështaku
Mbetet e patjetërsueshme
Si kafkë e ngopun me kalium
E goditje mugëtire

Akorde vajesh tendosin spazmat
Që nuanca gri llokoçitin thellësne fluide
Grishin qenie të çuditshme
Me gjeste proverbiale
Kundrohen nga yje vetvrasëse e zjarre ciganësh
Që shpalosin valët

Vrunduj mirazhesh reinkarnojnë gulçimën
E xhami i krisun i shiut
Pi tinguj e deformuar të një balade.

Puthje mbi varr
Mbi kurrizin ulok të dallgës shigjetare
Pelegrin i kurmit qiellor
Përpëlitet fluturimeve
E glacim inkandeshent akullthyes
Mërtyp imazhe titanikësh
Që venave u spërkatin spazmën reumatizmal
Paralizohen shtigje kortezhesh
E palca e baladave kullojnë pezëm
Dhembja mufatet si frut shiu
\që hëna mllaçit me të njëjtin afsh
Siç ha vetveten
Tule poroze të dhembjes shkrihen
E orgazma e një orgjie krimesh
Gurgullon në fytin e çudove të zhubravitura
Ku nata përthyen apogjeun e klithmës
Fekondon thartira e flirtit pagan të reve
E lëngata lutet në meshë për një mëkat banal
“puthjen time mbi varr”

Terrtim nate
Substanca e zhurmshme që rrjedh
Nervurave gumuar nga koma të hershme
E trishtime të drunjta
Vegjetimeve të përmortshme ullinjsh
Akuarelë që lëngëzojnë nga ripërtypje gurësh
Rrjedhje të thata e akorde të mefshta që pipëtijnë

Stonon lëvizja e stonuar
E ornamenteve pamore
Nën sqetulla të dheut
Gufojnë djersë gërryese
E silueta të pakapshme pluskojnë
Trishtueshëm kalëron duke gëlltitur shuarjen
E kur putrat humojnë në hi
Ndjen flakën që regëtin në bebëzat e një ylli
E tymin që kërleshet karuselit të vlimit
Ajër i butë si baltë
Që nëpër gishtërinj mbrun bukën majhoshe të molisjes
Bubërrime veshtullore i syrit
Errësirës së natës

Mërçapje ndjenjash
Ndjej gurin e pllakomës që hepohet
E nëpër kurm fije rrënjësh
Në trajtë zbrastësie që avullojnë duke vibruar
Në qiej kristalin e thyerjes
E vakuf duarsh që shtrijnë dhunimin
Tingëllima e reckosun e një monedhe
Përplaset në trotuarin e zbathur
E plisi i një pështyme plazmon
Angullimën e sekrecioneve tona shkretane
Tenda e hijeve kundron harlisjen e lastarëve
E bryma e kalbjes nëpër inde
Llokoçit ritualin banal të gjetherënies
Ndjej prekjen e përskuqur të ndryshkut
Dhe hapsirën të ngulet në brazdë
Ku fara e paktit apogje
Ska mbirë ende
Thëngjinj dhe hi pjalmon cingërima
E alkimisë mizantrope të nervit tim

Iluzioniste
Zjarre të nënujshme
Shtresojnë qeshje të deformuara
Më guinplen nëpër nerva
Limaneve
Ujrat kërkojnë kodin e rrënjës
Në zmaltin e shiut
Kufomat përtypin kalbje inkandeshente
Ku mukoza të tharta mufaten

Ngrehina avujsh shterzyes
Presin bujtësin e vonë, murgnatën
Që vjen ngarkuar
Me shtamba etjesh kockore
Britma fryn damarët e rrjedhjes
Së zhaurimave
Në lulimin mrizues të plagëve
Krisje të athëta drite
Kacavirren hukamave eterne
Me tinguj përmallues të shiut
Mbi gjoksin leshtor të heshtjes kundërmuese
Vezullon nënshtrues medaljon i hënës
Pjalmon etydi përgjues i rrezatimit
Kurmin e përgjakur të vetmisë
Harlisjet e vegjetimit qiellor
Rebelojnë gjymtyrët e magmës së fluturimit
Currila gjinjsh alarmojnë vërshimin
E plaga që shumon grahmat e dheut
Kur mpikset në palcën e britmës
Vriku i kësaj dhembjeje fluide
Rrënimin e gjej tek puthja
Që s’ja dhashë vetvetes kurrë


Diametralisht
Gjithkah me kreshpërimë me fraktura në gjymtyrë
E dhimbje kockore thellësisht eterne
Lëvizhga e resë së maisun grith
Murgnetëve që tejshpojnë syprinën blu
Zgavra thellohen thellohen e qiej shtypen
Dhera të largët depërtojnë në palcë
Prej nga përçojnë gurgullimën kryqeve
I arnojmë Golgotat makabre të marshimit
Që nëpër pranga e kocka la nurin
Verbues të rimëkëmbjes
Nëse galaktikat pranojnë kompromis sinorësh
Shpengohen troje të zbrazëta gjetherëna
Pasqyrash tejshpuese që kalbëzojnë
Lëvizje të mpira akujsh, zjarri e tmerri
Krisje të thekshme shpalosen pluhurinave
E shira që mjegullojnë
Që fashitin thëngjinjtë në rrebeshe psalmesh
Besoj
Që ta ndjej
Herezinë e turmës.

Kundrim i njëtrajtshëm
Një myshk që gjallon në lagështinë e njëllojtë
Binar gjaku të brejtun
Hakërrimë fytyrash të karbonizuara
Toka që lëvizin më njëtrjtshmërinë
E vrapimit kafshues të greminave
Thellësi joshëse që lëmohen
Nga dëshira të xhamta
Me ujra valëzues nëpër vena
E pulëbardha që me purtekë klithmash
Gardhojnë dumanin proverbial
Të llahtarisë qiellore
Kurmi im prej kundërmimi rrezatues
Duhmën të gjitha trajtat
Veç asaj të zjarrit
Vërshim i pazotnueshëm i çdo indi       
Një dyzinë qiellore diademuar
Me pëshpëritje shushatëse hijesh të zjarrta
Qumështojnë në rrjedhje shpërthyese
Përthyerje dhimbjesh magjike të njëtrajtshme
E përbindshmëri mëshirash solide
Qiej që lundrojnë e ndjejnë
Trokun e kalldrëmeve të stinëve nënshtruese
Papritmas ndjehemi të fajësuar e harrojmë
Rrënjëzimin e shtërngatës në përuljen tonë kristiane
Teksa kryqet prej limfe na shartojnë
Lutjet me britmën

Më shumë të ndërgjegjshëm për vdekshmërinë tonë

Emocion
Forma të qumështa e regëtima dritash
Rrëke të padukshme aromash përpirëse
Tenda e muzgut shkund jelen e shakullinave
E tinguj të vakët kundrojnë
Vetekzekutimin në celuloidin farfuritës
Mes tymtajës mikluese
Engjëj të bardhë bulojnë në çdo nyjë blatuese
E shkurrnaja e vezullimit
Ngre faltore ku mbruhesh me përuljen e pustë
Sipari i shkallares qiellore
Turit turrin e verbër të qenjeve njerëzore
Tek kundroj dhimbjen time të brinjës
Shkulur në Eden
Me gllabëron rrokullima përplasëse në moçalin e sekrecioneve
Perceptin qeliza jonë vakuf ëndrra të përgjakura dhe
E barrierat e rrashtinave që lartohen
Deri në qiellin picak
Sarkofag mitik krishtërojnë vajtimin lehoik
E mjelma e liqenit prej loti e napalmi
Këndon elegjinë e erëmimit të gjakut

Ditë në makth
Mbretëron një pikëllim i topitur prej tymi
Në kallamishten e gjakosur të dritës
Metrove këlthasin diej ulokë
Ngarkuar me hejbe të zjarrmisë shpërthyese
Katedrale të avullta silurojnë kundruall
Valles sonë të shkallueme
Vegimesh e formash
Fshikullon jëlët e hijes së natës
Kur rruzulli mllaçit djegien e tij shkrumbuese
E indi rrënqethës ringjall vetveten
Në grimcat e pakapshme të klithmave tona
Më shkallmon drithërimi i sythit të dallgës
E lulime të gurta diademojnë
Kundërtimin e leckosur të ditës
Vendos të hurb ulurimën e stërkalës kreshpëruese
Po lëmashku i jargitës i pezmit
Ndez pickimin hata të groposjes së kaltërive
Ditë mortore lartësuar në vertebra
E viktima nazike të dhimbjes
Mbartur përjetësisht me elegjinë e kambanave

Kundrim vjeshtor
Ndjej gërshetin kristalor të shiut
E kanata qepallash që kërkëllijnë
Përplasje të potershme që sëmbojnë
Bastionin e fundit të ajrit
Vibrime të thjeshta e fëminore
Pjalmojnë opiumin dehës
Në ritmin monoton të thikave kalëruese
Manarë të therur tjetërsojnë
Kërrabat e vetëtimave
Në gjarpërinj të flakët që përvidhen fytyrash
Gropave të syve notojnë shakullima qiejsh
E fërtelet e gjakosura të diellit
Kalldremojnë shtegun e mëkimit
Ashkla mavi ndërzehen nga horizonte të erëta
Sinorë llahtaritës mbufaten nga zemërimi
E britma të venituna lëmojnë
Baltovinën prej formash përulëse
Ylberë të përbaltun kolovisin sarahoshët e muzgut
E qerpikët e plagës së perëndimit thellohen
Nga vaji përpelitës i psalmeve
Ujërat namuzqare digjen
Në kripën e dhimbjes vërshuese
E ninulla e gjetheve i bekon

Ndijim ekzekutues
Vrunduj fjalësh prej poleni shkundës
Turfullojnë
Kur atomi i baltës së hirit shkoklohet
E sytë n’thëlpinj rrufeje përpushen
Shamatohen shirat në ngrehinën e natës
E shkallim dritash të mekuna pizasin
Krizantemën që ka puprrue shtegkalimin e gjëmave
Shtanga cungjesh mrizojnë blegërimën e rrufeve
E në lotimin e përvajshëm të qiellit
Amështia mbush shtambat për vigjiljet
Kali i erës me kërpesh prej britme
Shuguron hingëllimën e çapraztë
Xhamave të plasaritun përplasen patkonj makthesh
Gjunjëzues e mëkatar
Pulitet muri tingëllues i ndriçimit shkrirës
Në procesionin e nervit që veson
Telajo të rrënqethura të qeshjeve histerike
Gjakosin rrugëtime lotësh vullkanikë
Më në zgrip
Kufoma kërkojnë ciflat e predhave që shumfishojnë vdekjen
Me flakërimin shpues të gjymtyrëve
Zgjohu nga një zë krevator e gjej rrënjëzimin
Në kolovitjen e një tisi të hollë keqardhjeje


Robëtim nate
Breron e ngjizet terri I natës
Në pulse rrënimi të ethshëm shiu
Lulëzojnë prekjet zjarrmuese mishin
Mornicat e brymës në zajet e mpiksuna zhurmash
Kërkojnë lëfyt për trajtat e afshit
Xhama të rrjedhshëm zbutin kafshimin babëzitës
E fshikullimin përçyrrës te tingujve prej ninulle
Qarje të mekuna foshnjash në bujtinën
Trishtuese të heshtjes
Fekondojnë mallkimiadat
Himnizojnë raskapitje duarsh më frëngji
Që shohin nga varret
Fisjaja të epshta flladi
Nderen fillit të dritës që rënkon
Lehje stërvinash që lëpijnë silueta ikanakësh
E kocka të thërmuara prangash kuisin gurmazeve
Drurë të zhveshun nga epshe rrufesh
Thumbojnë në palcë fruta të dështuar
Netë endacake popullojnë qiej demiurgë
E qirinj lotues që currilojnë
Në çukën kafshuese të qeshjes
Përskuqjet e perëndimeve robëtojmë
Gjethimin vringëllues të zjarreve
Që kënga ime elegjiake ndërzen
Indi I dhimbjes sime nder gërmadha nëtësh flatrohet
E hepon naltësimin me spazëm e ngërçe

Cingërim nervash
Kalldrëme erërash të përbindshme
Brerojnë në ashtëzimin e shtegut
Ku akustika angullitëse e vajit të gurit
Si e babzitur përpin koloseun e qiellit
Breruar në agun e syri volframi
Buisin linjat e zhdërvjellëta kontelacionesh
Mola e tëmthit lulëzon stinën e hekurt
Kur toka rrënjëzohet nga britmat
E zjarri i dalldisur i magmës përpin qiellin
Diademë e blasfemisë mbi kërpurdhën e vdekejs
Reinkarnon myshkun e turitun të njerzis në tru
Diej të çmendur prej helmi dhe drite
Më pëlcasin qelizave
Vras dhe rrëfehem
Falem dhe ndjehem shenjtor
Cingërim nervash në gjinj
Dhe hej gjaku ndër buzë
Sinor nebulozash

Nemitem kur ndjej përtypjen
E instinktit të dashurisë

Kur ke në mes qiellin dhe plagën

Skllotinë e shqepun nga marazi i mbrujtun i hijes
Tjetërson gurtinë
Nga prekje e zhveshun e gjinit
Kullot si i babzitun siluetat
Që thithin damarët e horizontit
Këtë sezon klorofili ka azotemi kronike
Mirazhet kërkojnë çakordimin e pigmenteve
Humusi i kalbjes së zogjve
Resë e vetëtimave
Fermenton penelatën e qiellit
E harlisja e lastarëve të buçimës
Ka rrënjëzuar shkëmbin
Me dallgë e brigje që rrënojnë rrashtinat
U thinjën shirat që shkëpojnë
Në shtëgun ku theqafen zhaurima kataraktesh
Gërsheti i rrezatimit të blusë qiellore
Tundet mes dhimbjeve galaktike
Si krifë gjogu fluturues
Kur ke në mes qiellin dhe plagën
Jam prej loti
Dihamë
Puthje lulesh
Histeri pasionesh
Që jargojnë parmakëve ku filizon jeta
Sytë e kanë pirë qiellin
E gjej buzë të puthësh dhimbjen


Mbrëmësi hapsinore
Janë feminile cipat e ujta
Të këtij kapërthimi mbrëmësor
Kur duhma e dhimbjes tejdukëse
Buiset në eklipsin e allës naive
Mjegullojnë hekurishtet e rrashtinave të bregut
E flashkja përtyp trajektoren
E klithmës së zogut shkallues
Dënesja e errët e thellësive
Mpiks hemoragjinë e kalërimit vdekësor
Qetësisht vozit tingullin e dritës
Në paktin hapsinor
Vibrimet angullitëse hejëzojnë flashkjen
E valës tjetërsuese të murgnatës
Djersijnë kafkat nga puplimi i goditjeve
E meridianë mavi fijëzojnë mimika tkurrëse
Shkërmoqen ashkat e nudos
Kur orgjitë nderin erektimin zaptues
Në akordet e rrëpirta yjësore
Lotoret plaguese rimishërojnë kurmin
Tim të epshët
Ku gjegjet psalmi i përgjunjes
Në retinën e plasës së qiellit
Kullon tanë pikëllim mbrëmësia hapsinore

Ankthi i pangjyrë
Spirale të nyjëzuara në kryqkalimin e shkrepmoteve
Zgrip i tejetejshpuar nga fosili i një aizbergu
Errësirë e thatë
Maisur prej hijesh të pluhurta
Që t’tana sosin në arterien e morgut
Pickimi i nënlëkurës
Thellon vlagën e jehonës së gjakut
E farë e thartë e djersës
Fshikulluar prej dallgës së irritueme
Shakullohet
Në kafkat e therura e britma vdekjesh
Me kundërmim kufomash marshojnë
Nën revanin kavaleresk
Dehje lulesh prej zëri dhe tingulli

Shkepet masa e ngurtë e ajrit
Buhavitur nga smogu
Tellazon bliceve të epërme që përthyejnë
Akuarelin e eterit, si kuaj të hazdisun

Harlisje e tërbuar e vegjetimit qiellor
Rebelon gjymtyrët e magmës së fluturimeve
Ankthe të pangjyme rebeshojnë
Në këtë grumbull eshtrash dhe mishi
Ku mbruhet
Metali I prangimit

Kushtrues briri I hënës
Kur qieeli shkund pelerinën e reve
E pendët shpupurish nata
Si prehër I rrudhosun prej nëne
Tkurret kur bymehet lëngata

Cingërima rrënqethëse plazmon në eter
Frymëen blatuese të temianit
Kurmi i një murgnate me shi
Var mbi klithma ornamentet e psalmit

Gërmadha bufon të dhimbjes
Shkumëzojnë në bordure ikjesh pritjen
Malli puritan si korife
Ndërzen rivierave dallgë kryqëzuar në hej

Duna lotësh egërsojnë relievet
Limfa gërmush vërshimin
Rruaza e rërës brigjeve të mia
Është sa një planet
Briri i hënës jep kushtrimin

Dashnorët e amshimit
Thithkat e gjinit hanor
Pikojnë ekstazë etjesh biblike
Nën blicin vegimtar të meteorëve
Nudo pozojnë Edenëve, Eva besnike

Bisturi i prekjes prej gjaku
Në plagën e ofshamëve injekton puthjen
E vozga e natës me aromë dashnorësh
Pëlcet në faltoren e bitisur udhësh

Bari rrënqethet prej lakuriqsisë
Mrizuar në pjergullën e natës
Mëkati, në batakun e një pellgu orgazme
Nën “Amin” profetik kurorëzon faljen

Qielli pikon rubin ujesh
Në meshën e zjarmisë prej mishi
Adami dhe Eva hapin Biblën
E ndër vena u qarkullon kafshimi

Turfullon kali i harbuar i frymës
E ndër epshe lëvrijnë mirazhe zotash
Një uratë për mollën e kafshuar
Për djallin ndiz një qiri, njeri-llum vorbullash

Kohë që klith
Lot gjaku, stalagmit kafkash
Vizatojnë Rrathët e Dantes
Meridiane krimi arnojnë globin
Fashim i plagëve të diellit
Oratori britmash spërkatin
Mishrat e thekur ndër zagushi varresh

Rrënim
Nën cergën e dimrit që sos
Gjunjëzime përlotëse
Në pellgje dhimbjesh mbyten altarët

Zbret nga kryqi Mësia
Në rrashtë I ngulet njërzisë
Ky kryq

Puthja noton në pelegrinazhe luftrash
Gjak në vaun e plagëve prej qumështi
Harruar kemi refrenin e dihamëve
E tenor I piskamës apokaliptike
Heq grahmen e një funerali

Pëllumbat vozitin qiejve mëshirues
E u glacojnë
Fytyrave rrjepur nga lëngatat

Falja
Rrëshqet nëpër eshtrat e viktimave
Çdo dy mijë vjetë u dashka të dimë
Se jemi njerëz

Truporja e njeriut prej loti
Nën pjergullën ovale të dhimbjes
Kur qielli hurb pigmentin gri
Hukamë metropolesh
Rri ngulur në një vragë Kaini
Thik në lëmin e puthjeve
Truporja e njeriut prej loti

Një davaritje boheme
Me stradhin e urrejtjes nëpër dhëmbë
Zhubros gjethimin e qeshjeve

Akrokeraunët krehin erën
Lëvozhgat e vetëtimave
Farfurijnë paktin pervers të vjeshtës
Në ritualin nënshtrues të gimneve

Tek gjunjtë e përgjakun të ndjenjës sime
Gulçet e avelmendit stisin qefinin tim
Rrufe e pendimit pikon nga qielli
E truporen e njeriut prej loti
Gropos në zgavrën e kafkës sime

Fluiditet
Njom buzët e plasaritura
Ne magmë tragjedishë
Plagëve të qiellit shëtit
Me një gur varri në shpirt

I shkrehem në prehër një ylli
Që dremit në pikëllimin tem
Ylberpeneli i një shpirti
Torbën e ngjyrave bën fli

Karthijat e hijeve mbledh muzgu
Mbi cungun e heshtjes ndez zjarr
Gjiri i muruar i një ëndrre pagane
Vaj i tjerrun nimfash që shuhet mbi varr

Në vertebrën e thellësisë eterne
Mpikset kuitja e një bushtre nazike
Qielli deri në gulç merr frym
Njeri – thërret
Perëndim i perëndive

Hapi mbi gjurmë
Kjo melodi gjetherënëse
Rigon përmes dihamëve të ditëfikjes
Grimin e trazuar të fytyrave

Murlani vozit
Mbi mjegullat gjethepëshpëritëse
E lëpin
Hapat që rendin mbi gjurmë

E titaniku i statujës sime
Poshtë një reje ekstaze
Ëndërron ndër ethe ajzbergësh

Amplituda e dhimbjes
Heshta vikamë vdekjeje
Ther kurmin e epsht të qiellit
Nga bankina e dihamëve profetike
Gjunjëzimet
Pendimin frenetik shkelin

Thërmojnë mërmëritë krakëllima brejtjesh
Dergjur në kalvar spazmi
Meka e thërmuar në një brinjë
Kryqi
Ngulun në zgrip të horizontit

Tangënt përçon feksje meteorësh
Drithërima e rrokjes së lotit
Nga hojet e piskamës angullitëse
Jargavitet
Himbi i çmendurisë së botës

Qelia e jetës
Projektuar
Simbiozave të moralit jetëbitisjeje
Trojeve bajate
Ku shkasin përditë kavaleri funebre

Mure betoni me guacka jetësh
Mësyhen prej baticave t’përkëdheljeve skeletike
Shprishur hijeve prej metali
Veladonësh që tështijnë falje

Gastaret e thyera të diellit
Hingëllijnë pezëm
Shpuar prej prekjesh

Kruajmë ndryshkun e profileve
Qullur prej djersësh
Gostive që vaditen nga përrenj plagësh

Jeta
Pranga e dihamëve që nxjerrim
Lotët
Faji që e mveshim


Peisazh nekrofil
Një buzëqeshje foshnjore
Tatuazh në pllakën e një varri
Dy kurme qiell
Kapërthyer në kafkën e një terri
Që përtyp rrufe

Një dyzinë puthjesh
Varur në tehun e një hijeje
Pëllumbat e gjakut tim
Prehen në morgun e një lutjeje
Riguar nga kambanarja e muzgut

Njeriu hypi në fron
E thirri; Jam Zoti
E besimtarët
Duke besuar në çmendurinë e tij
Luten
Vetëm luten
Vargmal muranësh rreth tyre
Kërcejnë ritin e flijimit
Me kalvarin e Rrugës së Kryqit
Lidhur në grykë


Delire që mbeten të miat
Koha klith në gurmazin e foshnjës
Barra e reve
Përkundet në gamiljen e horizontit
Damarëve më shëtit dimri
Kopsitur me uniformë tërratisjeje
Avlli qeshjesh histerike
Përqarkojnë hauzin e pikëllimit
Balta e muzikës përlyen
hapa ndjesish ....
varur në qiparisin e prekjeve rrënqethëse
u bindën gjestet aritmetike të ecjes

Kam mbetur gurë themeli
Ndër istikame dhimbjesh

Dheu më pudros fytyrën
E në pah më nxjerr
Damarët e vërshimit të lotëve

Kur supeve më jargavitet frika
Shkundem prej dëshirash


Simetrike   
Vërshojnë hemoragjitë e plagëve
Stinën
Kur foshtinë e qiellit pikon
Pafundsinë

Guackat e hijeve mbeten brigjeve
Kur baticat në mol harrojnë leshterikët

I sita kuitjet e bulktheve
Kur lirika vetëtimash
U varen në tinguj të ndryshkun

Në metronë e puthjes time
Një nerv spartan
I nder qeshjet e grisura
Halorëve të baladave dhe largkundrive

Në vaun ku dynden stinë lotësh
Nga tehe thikash diellon frika


Ceremonial i kohës gri
Nën ritmin harbut të ngjyrimeve gri
Vallëzojnë pikat e shiut
Në ballon e mureve të zënë ndryshk

Skutës pres ku tejshpon hija e lypësit
Kundrull i vijnë britma gjurmësh
Nën ritmikën eksituese të ikjes

Mbi profile trupash picak
Puthja, dëgë e zhvëshun
Mërmërinë
Kujtimin e pigmenteve dhe klith

Një diham zogu ther
Nëpërkëmbjeve të këtij kërcimi shiu
Nga goja gjiri i rrëshqet fëmijës
Vetëtima e një britme nëne ther në qiell


Këngë elegjiake
Krehëri I shiut
Rrëshqet gërshetave të natës
Që zbresin gjer në mitrën e hijes

Përtej një xhami të plasaritun
Tështin aroma drite
Flakëz e një qiriu

Zgjohu nënë, grrith një zë
Dua të pi
Duar foshnjake zgjaten
Dhe prekin statujën e nënës
Muruar në gërmadhën e urisë
Zgjohu nënë

Nën timbrin e kësaj lutjeje
Marshojmë kalvarëve të kryqzimit
Duar që zgjaten drejt qiellit
Qiej që derdhen nëpër gishtërinjë


Qiell
Përtej grrilave të shiut
Hëna muzë memorialesh
Tërheq për kapistre … të bruzta
Melankolisë së muzgut oval

Serenata lë gjurmë mavi
Në telajon e bregut daltuar prej dallgëve
Mugët regëtijnë horizontet
Statuja të thyera mirazhesh

Gastarin shikimesh currilojnë
Shkallares së mefshtë të pikëllimit
Qiell
Qiell, mbartës I fluturimit


Pakt kuazarësh
Një vozgë retine
Muruar në bujtinën e qiellit
Pi nata
E në laringun e ftohtë të galaktikës
Gurgullojnë katarakte fluturimesh

Përvijnë rrugëtimet
Për tek pafajësia
Gëzhoja qeshjesh histerike
Pas një orgjie zotash

Lëkura shkund polenin
Nga buisja e këngës së zogut
Çukitës katakomësh

Që në kohët biblike
Përjetësisht fëmijë
Mbetet faji
Mbërthyer në pelena krimesh

Mesnatë
Varur në mërmërima yjesh
Tenda e natës
Hurb melankolinë
E vajit flori të natës

Galop i frymës shtiakë
Shprish etjen e pustë të mesnatës

Oshëtima e një puthjeje
Gërvisht suvanë e pëshpërimës
Që pret të shëndërrohet në klithmë
Prehrave nisin mërtypjen
Lutja e meshëve të faljes