Sunday, October 21, 2012

Mesnatë



Varur në mërmërima yjesh
Tenda e natës
Hurb melankolinë
E vajit flori të natës

Galop i frymës shtiakë
Shprish etjen e pustë të mesnatës

Oshëtima e një puthjeje
Gërvisht suvanë e pëshpërimës
Që pret të shëndërrohet në klithmë
Prehrave nisin mërtypjen
Lutja e meshëve të faljes

Pakt kuazarësh



Një vozgë retine
Muruar në bujtinën e qiellit
Pi nata
E në laringun e ftohtë të galaktikës
Gurgullojnë katarakte fluturimesh

Përvijnë rrugëtimet
Për tek pafajësia
Gëzhoja qeshjesh histerike
Pas një orgjie zotash

Lëkura shkund polenin
Nga buisja e këngës së zogut
Çukitës katakomësh

Që në kohët biblike
Përjetësisht fëmijë
Mbetet faji
Mbërthyer në pelena krimesh

Qiell



Përtej grrilave të shiut
Hëna muzë memorialesh
Tërheq për kapistre … të bruzta
Melankolisë së muzgut oval

Serenata lë gjurmë mavi
Në telajon e bregut daltuar prej dallgëve
Mugët regëtijnë horizontet
Statuja të thyera mirazhesh

Gastarin shikimesh currilojnë
Shkallares së mefshtë të pikëllimit
Qiell
Qiell, mbartës I fluturimit

Këngë elegjiake



Krehëri I shiut
Rrëshqet gërshetave të natës
Që zbresin gjer në mitrën e hijes

Përtej një xhami të plasaritun
Tështin aroma drite
Flakëz e një qiriu

Zgjohu nënë, grrith një zë
Dua të pi
Duar foshnjake zgjaten
Dhe prekin statujën e nënës
Muruar në gërmadhën e urisë
Zgjohu nënë

Nën timbrin e kësaj lutjeje
Marshojmë kalvarëve të kryqzimit
Duar që zgjaten drejt qiellit
Qiej që derdhen nëpër gishtërinjë

Ceremonial i kohës gri



Nën ritmin harbut të ngjyrimeve gri
Vallëzojnë pikat e shiut
Në ballon e mureve të zënë ndryshk

Skutës pres ku tejshpon hija e lypësit
Kundrull i vijnë britma gjurmësh
Nën ritmikën eksituese të ikjes

Mbi profile trupash picak
Puthja, dëgë e zhvëshun
Mërmërinë
Kujtimin e pigmenteve dhe klith

Një diham zogu ther
Nëpërkëmbjeve të këtij kërcimi shiu
Nga goja gjiri i rrëshqet fëmijës
Vetëtima e një britme nëne ther në qiell